Rrugën për vendlindje e kanë marrë.
Mërgimtarë të shumtë ia kanë mësyer Kosovës gjatë kësaj sezone verore.
Fluksi i madh i atdhetarëve ka bërë që në disa pika kufitare të shkaktohen edhe kolona.
E tillë ishte të dielën pika kufitare në Bajakovo të Kroacisë.
Anipse ishte rend i gjatë, sipas autoriteteve, pritjet ishin 10 deri në 15 minuta.
Kësisoj thonë edhe të hënën, mërgimtarë që hynë në Kosovë përmes Merdares.
“Veç 40 minuta kena prit në Kroaci. Në Serbi as dy tre minuta dhe kemi dal”, u shpreh një mërgimtare.
“Kemi kalu shumë mirë. Nja 30 minuta na ka ra me prit në Kroaci. Super është kon”, ka thënë një mërgimtar.
“Jo s’kena prit kërkun. Shumë mirë. 30 minuta në Serbi” , shpreh edhe një mërgimtar tjetër.
Madje thonë se rrugën e kaluan pa asnjë problem.
“10-15 minuta jo s’ka pas… Provokime nuk ka pas unë udhëtoj gjithë knej. Jo s’kom pas”, ka thënë një mërgimtarja tjetër.
Kolonat në Bajakovo të Kroacisë ishin kryesisht si pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar.
Për këtë, Ambasada e Kosovës në Kroaci shpërndau ushqim dhe pije për udhëtarët.
Ndërkaq, sipas përditësimeve të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, gjatë së hënës, pritjet në hyrje në pikën kufitare Dheu i Bardhë arrijnë deri në 40 minuta, në Vërmicë deri në 15 minuta, ndërkaq nga 10 minuta në Jarinje, Bërnjak dhe Merdarë.






