Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të tre kosovarëve që vdiqën në një aksident në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen e Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën në aksidentin pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë. Kjo tragjedi e rëndë na ka lënë të gjithëve me një ndjenjë të thellë pikëllimi”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Familjarëve, të afërmve dhe miqve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, shtoi ai.
Mexhiti tha se janë në kontakt me autoritetet e Kosovës për “kthimin e trupave të pajetë”.
“Njëkohësisht, jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës për të siguruar përfundimin e të gjitha procedurave të nevojshme dhe kthimin e trupave të pajetë në Republikën e Kosovës. U prehshin në paqe”, shkroi ai.









