Inspektorati Qendror i Punës ka ndalë punimet në një biznes në Obiliq pasi është raportuar një rast që ka rrezikuar sigurinë e punëtorëve.
Pas raportimit të rastit, Inspektorati tha se kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme inspektuese.
“Më 18.07.2026, inspektorët e punës kanë zhvilluar inspektim në subjektin në fjalë. Gjatë inspektimit janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, të cilat paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve”, u tha në njoftim.
Për shkak të rrezikut të konstatuar, Inspektorati Qendror i Punës tha se ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për një mjedis të sigurt pune.
“Inspektorati Qendror i Punës mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve”, thuhet në njoftim.








