Politologia, Arta Tahiri-Beqa ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk do të sjellin ndonjë risi.
“Zgjedhjet e brendshme do ta dëmtojnë partinë. Emrat që po qarkullojnë për ta marrë drenimin e partisë, nuk po më japin shpresë se do të sjellin ndonjë rezultat të mirë”, ka thënë politologia, Arta Tahiri-Beqa në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Tahiri-Beqa vlerëson se LDK aktualisht nuk ka nevojë për ndryshime.
“Nëse LDK synon që të mbetet parti serioze, nuk duhet të shkojë në zgjedhje. Partia e tretë të ndahet, kjo do ta dëmtonte teje mase partinë. Gjithsesi, unë besoj se kryetari Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të mbetet në krye të partisë”, vlerësoi Arta Tahiri-Beqa.
Ndryshe, kërkesën e rreth 150 delegatëve të Kuvendit për shkarkimin e Lumir Abdixhikut, kanë nisur ta trajtojnë organet e partisë.
Anëtarë të kryesisë së LDK-së që janë mbledhur të enjten, kanë thënë se Kuvendi për votëbesimin e Abdixhikut synohet të organizohet para 7 gushtit, kur është afati i fundit për konstituim të Kuvendit të Kosovës.







