Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, mjete të ftohta dhe pajisje të tjera të kundërligjshme gjatë një aksioni të zhvilluar në zonën e Skenderajt, në kuadër të aktiviteteve për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh), në mbështetje të njësive të tjera policore, gjatë mbrëmjes së së enjtes.
Gjatë kontrolleve të automjeteve në trafikun rrugor dhe të personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë, tri shufra metalike, si dhe gjësende të tjera për të cilat dyshohet se janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e veprave penale.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet:
“Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e masave parandaluese gjatë sezonit veror, Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh), në mbështetje të njësive të tjera policore, vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën e Skenderajt ka realizuar një sërë aktivitetesh operative, të cilat kanë rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve, mjeteve të ftohta dhe gjësendeve të tjera të kundërligjshme.”
Policia bëri të ditur se personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale në koordinim me prokurorët kompetentë.
“Lidhur me këto raste, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, janë intervistuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale, në koordinim me prokurorët kompetentë”, thuhet më tej në njoftim.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet e rendit, duke raportuar çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192, aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose përmes adresës elektronike zyrtare të Policisë.







