Profesori, Mazllum Baraliu ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) rrezikon të ndahet në më shumë se dy grupe dhe të përballet me një krizë të thellë organizative si pasojë e zhvillimeve të brendshme.
Sipas tij, nëse kriza vazhdon, LDK-ja mund të dëmtohet rëndë, duke humbur pozitën si një nga forcat kryesore politike në vend dhe duke rënë në margjinat e skenës politike.
“Patjetër, dhe jo vetëm në dy grupe, por mund të ketë katandisje dhe shprishje serioze, aq sa të mos stabilizohet e as të ringjallet në kuptimin e sukseseve që i ka pasur dikur. Madje mund të dëmtohet përfundimisht dhe të mos jetë më as forca e tretë politike me ndikim, por të bjerë në margjinat e aktivitetit dhe rëndësisë politike. Ky është rreziku dhe këtë duhet ta shohin”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka shtuar se LDK-ja duhet të unifikohet dhe të ruajë substancën e saj politike, duke pasur parasysh rolin historik dhe rëndësinë institucionale që ka pasur në shtetndërtimin e Kosovës.
Sipas Baraliut, nuk mund të përjashtohet mundësia që përçarjet e brendshme të jenë nxitur edhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë parti të tjera politike apo struktura të caktuara që synojnë ta dobësojnë LDK-në dhe të pengojnë një marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve.
“Neve të gjithëve na intereson që një parti historike, me rëndësi të madhe institucionale dhe me kontributin që ka dhënë ndër vite, ta ruajë substancën e saj dhe të arrijë unifikimin përmes mirëkuptimit të koncepteve të ndryshme brenda saj. Mund të ketë veprime nga jashtë, nga parti të tjera apo shërbime të caktuara, që synojnë të përçajnë njerëzit dhe ta degradojnë partinë. Ndoshta interesi i dikujt është që të mos arrihet një marrëveshje, duke pasur parasysh gatishmërinë që ka shprehur LDK-ja, siç deklaroi Lumir Abdixhiku pas takimit me Albin Kurtin, për të shmangur zgjedhjet. Në këtë mënyrë do të pamundësohej krijimi i institucioneve me mandat të plotë dhe, njëkohësisht, do të dobësohej edhe LDK-ja”, ka deklaruar Baraliu.







