Krerë të shtetit, përfaqësues politikë, diplomatë, aktorë të shoqërisë dhe personalitete nga fusha të ndryshme u mblodhën në Prishtinë për të shënuar Ditën Kombëtare të Francës.
Në ceremoninë solemne, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se partneriteti franko-kosovar po zhvillohet në fusha të ndryshme, por njëkohësisht bëri thirrje për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, për të avancuar bashkëpunimin dhe për të arritur marrëveshje të reja me Francën, Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe stabilitet politik.
“U bëj thirrje të gjithë liderëve politikë të këtij vendi, pa përjashtim, pavarësisht partisë së cilës i përkasin apo komunitetit që përfaqësojnë, që të gjejnë rrugën e kompromisit dhe daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur”, tha ambasadori francez.
Ai shtoi se Kosova ka mundësi të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Franca do të vazhdojë të mbetet një partner i rëndësishëm për vendin. Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se partneriteti mes Kosovës dhe Francës po bëhet gjithnjë e më konkret dhe më i fuqishëm.
Kurti tha se bashkëpunimi mes dy vendeve po zhvillohet përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve arsimore.
“Sot, partneriteti ynë po bëhet më konkret dhe më i fuqishëm. Ne e shohim këtë përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve arsimore. Ai nuk kufizohet vetëm në deklarata; ai shndërrohet në punë, ndërton besim. Ai i shërben një qëllimi, sepse ky qëllim është gjithashtu evropian. E ardhmja jonë evropiane, ku Bashkimi Evropian nuk është vetëm një proces i madh anëtarësimi, por një zgjedhje demokratike, një disiplinë institucionale dhe vendi ynë natyror mes shteteve të Evropës”.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, kryeministri në detyrë tha se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një proces anëtarësimi, por një zgjedhje demokratike dhe një rrugë drejt forcimit institucional.
Ceremonia për Ditën Kombëtare të Francës u shënua në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks në thellimin e marrëdhënieve diplomatike, kulturore dhe evropiane/rtk








