Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihet një zjarr i madh në deponinë e mbeturinave në Sferkë, vendlindjen e saj. Ajo ka ngritur alarmin për gjendjen në këtë zonë, duke thënë se deponia po shndërrohet në një katastrofë mjedisore që rrezikon seriozisht shëndetin e banorëve.
Përmes një postimi, Bajrami u shpreh se problemi nuk lidhet vetëm me menaxhimin e mbeturinave, por përbën një krizë të rëndë ekologjike me pasoja afatgjata për mjedisin dhe komunitetin lokal.
“Poshtë saj ndodhen toka pjellore dhe livadhe ku fermerët kullosin bagëtinë, ndërkohë që nga deponia rrjedh lëngu i zi, i mbushur me substanca toksike dhe metale të rënda. Tymi dhe flaka që shfaqen herë pas here nga zjarret e bëjnë edhe më të madh rrezikun për ajrin që thithin banorët e zonës”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë Kurti, duke e fajësuar për dështim në trajtimin e këtij problemi. Sipas saj, mungesa e veprimeve konkrete dhe vonesat kanë bërë që dëmet të thellohen, ndërsa kostoja e zgjidhjes të rritet ndjeshëm.
“Për këtë gjendje dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Qeveria Kurti deri tash dështoi ta zgjidhë këtë problem. Për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, humbi mundësia të investoheshin me kohë 9 milionë euro nga BE-ja dhe 3 milionë euro nga Komuna e Pejës për mbylljen e kësaj deponie. Sot flitet se ky projekt nuk realizohet më as me 30 milionë euro. Ky është çmimi i papërgjegjësisë dhe i dështimit politik”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Bajrami ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, duke paralajmëruar se çdo ditë vonesë rrit rrezikun për shëndetin e qytetarëve dhe dëmet ndaj mjedisit.
“Më e keqja është se faturën nuk po e paguajnë qeveritarët, por qytetarët me shëndetin e tyre. Sferka nuk ka nevojë për arsyetime, ka nevojë për veprim urgjent. Çdo ditë vonesë e thellon dëmin, e rrit koston financiare dhe, mbi të gjitha, e rrezikon jetën dhe shëndetin e njerëzve”, ka përfunduar Bajrami.







