Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A ka përfunduar me sukses riparimin e rregullt vjetor dhe është rikthyer në operim.
Sipas njoftimit, startimi i njësisë ka filluar në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:00, ndërsa pas përfundimit të procedurave teknike dhe kontrolleve të nevojshme, Njësia A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15.
“Rikthimi i Njësisë A4 në operim forcon kapacitetet vendore të prodhimit dhe rrit gatishmërinë teknike të KEK-ut në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror”, thuhet në njoftim.
KEK falënderon menaxhmentin, ekipet teknike, inxhinierët dhe të gjithë punonjësit e TC Kosova A për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar në realizimin me sukses të këtij riparimi.







