Është një nga dhomat e Klinikës së Pedriatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo kushtet higjienike dhe jo vetëm, nuk janë në nivelin e duhur.
Këtë denoncim, e bëri publik aktivistja Aulonë Mehmeti, e cila të dielën mbrëma shkoi për trajtim të djalit të saj, në këtë klinikë të QKUK-së.
“Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta. Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike. Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë. Kërkuam çarçaf. Nuk kishte. Na e dha nëna e pacientit tjetër me të cilin po ndanim dhomën. Sapun? Nuk kishte. Faculeta, palloma apo mjete të tjera bazike higjienike?Aq më pak. Tualeti në korridor është i hapur për të gjithë. Bukfalisht i hapur.Sepse mungon privatësia elementare. Nuk ka dyer. Dhe jo, as aty nuk ka sapun”, ka njoftuar Mehmeti.
Pas këtij denoncimi publik, Mehmeti u ankua sot gjatë ditës edhe për presion.
“Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status. Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, ka shkruar tutje Mehmeti.
Për shqetësimet publike të ngritura nga Mehmeti, Televizioni ka dërguar pyetje në SHSKUK, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërkaq, nga ministria e shëndetësisë është thënë se për këtë situatë përgjegjëse është vetëm SHSKUK-ja.
E gjatë qëndrimit të TËVË1 të hënën në ambientet e klinikës së pediatrisë, edhe një qytetar tjetër në kushte anonimiteti, pati ankesa për mungesë të gjësendeve elementare në klinikë.
“Hin mrena salveta nuk ka. Pak a shumë e kuptoi që edhe me pru puntort i marrin. Shtrojca nuk ka fare, nëse ta bjen ta bjen një të vogël. Unë për veti gërdita me u shtri, duna me shku në shpi me bo rrugë, me hup kohë, me bo shpenzime me marr shtroja me ja bo venin qysh duhet me mujt fëmija me ra”, u shpreh një qytetar.
Ndërsa sa i përketë shtretërve, ky prind thotë se janë në gjendje jo të mirë.
“Krevetat janë veç mos me livrit. Frym ka merr ai bon zhurum. Tash paramendo natën një fëmijë tjetër është sëmur aty edhe kur livrit ai veç bon zhurum…Pastërtia nuk është qysh duhet me kon sidomos tek reparti i fëmijës duhet maksimum duhet angazhim më i madh”, ka thënë qytetari tjetër.
E një situatë e ngjashme, sipas njohësit të çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitia, vërehet edhe në klinika të tjera të SHSKUK-së.
“Kjo nuk është e vetmja, sepse pamje të ngjashme pothuajse kemi në të gjitha klinikat. Faktikisht, Qendra Klinike Universitare e Kosovës në vitet e fundit ka bë përmirësime në infrastrukturë, por ka investuar miliona euro edhe në shtretër. Por fatkeqësisht këta shtretër nuk po mirëmbahen si duhet. Pra, në njërën anë kemi investime milionëshe nga buxheti i shtetit në shtretër të rinj, në anën tjetër institucioni lejon që këta shtretër të dëmtohen e të mos riparohen e të mos mirëmbahen”, theksoj Vitia.
Sipas Vitisë, SHSKUK duhet ta ketë një mekanizëm vet-rregullues, i cili do të zbatonte masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve që nuk zbatojnë detyrat e tyre.






