Njohësi i rrethanave politike në vend, Xhevdet Pozhari, është pesimist se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike në Kosovë për formimin e institucioneve.
Ditën e sotme kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza si dhe kryetarit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kam parë optimizëm pas takimeve të sotme. Gjithsesi, vazhdoj të mendoj dhe jam pesimist se do të arrihet ndonjë marrëveshje”, ka thënë Xhevdet Pozhari në “Këndi i Debatit” në tëvë1.
“Sot e kemi një opozitë që askush nuk e ka numrin dy përpara. Pra janë nën 20 përqind. Partitë politike vazhdoj të mendoj se nuk do të bashkëpunojnë”, theksoi Pozhari.
Ndryshe, takimet po zhvillohen pas ftesës së Kurtit drejtuar liderëve të partive politike, me synim diskutimin e mundësive për tejkalimin e ngërçit institucional.
Kjo vjen pasi, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ka nisur të rrjedhë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Bazuar në rezultatin zgjedhor, Vetëvendosje pritet të mos ketë vështirësi në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke llogaritur mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë, pa përfshirë Listën Serbe.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat parlamentare të mbajtura brenda një periudhe prej një viti e gjysmë. Ato u organizuan pasi legjislatura e 10-të nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri të vendit pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit, çka çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.







