Mëngjesin e sotëm, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë lëvizjet e para drejt formimit të institucioneve.
Kurti u ka dërguar ftesë për takim që të tre liderëve të partive opozitare.
Këtë e konfirmoi për TËVË1, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK, LDK dhe AAK”, ka konfirmuar Manxhuka.
Pranimin e ftesës, e kanë konfirmuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Është reflektim nga mënyra se qysh ka funksionuar z.Kurti duke u paraqitur si padron edhe i Kushtetuës edhe ligjive edhe ndoshta i rezultateve zgjedhore. Demokracia flet mbi numrat por i ka edhe rregullat e brendshme mendoj që i ndihmon demokratizmit nëse e kupton që asnjë subjekt politik nuk mund të udheheqë i pavarur në kuptimin e të gjitha institucioneve”, tha Armend Zemaj.
Dërgimin e këtyre ftesave, e konsideron si veprim të duhur për dalje nga kriza, edhe profesori universitar, Mazlum Baraliu.
“Pikërisht në këtë mënyrë në një bisedë ku do të ishin bashkë të gjithë partitë kryesore pozitë e opozitë të diskutohet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në mënyrë njerëzore për të gjetur një zgjidhej konsunsuale për tejkalimin e krizës rreth zgjedhjes së presidentit”, u shpreh Baraliu.
Optimist për tejkalimin e bllokadës politike, është edhe profesori Besim Limani.
“Besoj që vullneti është që te këtë një zgjidhje por problemi në Kosovë është aspekti individual i disa individëve mbase edhe inateve personale që këto duhet të thehen të tejkalohen në mënyrë që Kosova të ec përpara për shkak që kemi kalu shumë kohë në zgjedhje dhe nuk e shoh të arsyeshme të përsëriten”, shprehet ai.
Rrjedhja e afatit për konstituimin e Kuvendit ka nisur nga sot dhe zgjatë deri më 7 gusht.



