Ekspertët paralajmërojnë se kontinenti europian po futet në një fazë të re temperaturash ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit që ka mbërthyer jugperëndimin e Europës pritet të zgjerohet në ditët e ardhshme drejt veriut dhe lindjes.
Sipas Severe Weather Europe, pas Europës Perëndimore, temperaturat shumë të larta do të shtrihen edhe në zonat qendrore të kontinentit, në Itali dhe në Ballkan.
Meteorologët theksojnë se mbi Europën Perëndimore dhe Jugperëndimore është krijuar një sistem i fuqishëm me presion të lartë atmosferik, që funksionon si një “kapak”, duke mbajtur të izoluar ajrin e nxehtë dhe duke ndalur hyrjen e masave më të freskëta që vijnë nga Atlantiku.
Si rezultat, Spanja, Portugalia dhe Franca prej ditësh po përjetojnë temperatura tepër të larta. Në këto shtete, vlerat termike janë 10 deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, ndërsa në disa zona kanë kaluar edhe pragun e 40 gradëve.
Për momentin, masa ajrore më e nxehtë është e përqendruar mbi Europën Perëndimore, por gjatë fundjavës dhe në ditët e para të javës së ardhshme parashikohet të lëvizë drejt Europës Qendrore, Alpeve, Italisë dhe Ballkanit. Sipas meteorologëve, vendet e Ballkanit do të përballen me një rritje të dukshme të temperaturave.
Në një pjesë të madhe të zonave, termometri pritet të luhatet mes 35 dhe 39 gradë Celsius, ndërsa në disa rajone temperaturat mund t’i afrohen edhe 40 gradëve.
Parashikimet tregojnë se javën e ardhshme ajri më i nxehtë do të përqendrohet në jug të Italisë dhe në pjesë të Ballkanit, ku temperaturat maksimale gjatë ditës mund të shkojnë nga 38 deri në 41 gradë Celsius. Sipas projeksioneve afatmesme, kjo valë e të nxehtit mund të vijojë deri në mesin e muajit korrik.











