Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u takua me drejtuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc, duke përcjellë mesazhe për unitet, bashkëpunim dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar.
Gjatë vizitës, Begaj zhvilloi takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si edhe me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.
Në fjalën e mbajtur gjatë çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026 në Preshevë, presidenti garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë adresimin e çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës, duke përfshirë përfaqësimin në institucione, çështjen e pasivizimit të adresave, si edhe respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen. Shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, ndërsa kultura, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi gjithashtu se shqiptarët mbeten faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është, sipas tij, pjesë e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe diversitetin kulturor. /euronews









