Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka nisur një fushatë vetëdijësuese me moton “Ta ndalojmë së bashku”, me qëllim parandalimin e dhunës në familje dhe nxitjen e qytetarëve për të raportuar rastet e dhunës.
Gjatë fushatës, zyrtarët policorë po shpërndajnë materiale informuese për qytetarët në të gjithë zonën e përgjegjësisë së rajonit.
Fletushkat përmbajnë të dhëna për format e dhunës në familje, shenjat që mund të tregojnë praninë e saj dhe mënyrat e raportimit.
Policia ka theksuar se dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si çështje private, por si një vepër e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
“Dhuna mund të shfaqet në forma të ndryshme, përfshirë dhunën fizike, psikologjike, emocionale, seksuale apo ekonomike. Çdo viktimë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje dhe mbështetje institucionale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Përmes kësaj fushate, Policia ka bërë thirrje që qytetarët të mos heshtin përballë rasteve të dhunës, por t’i raportojnë ato në kohë.
“Çdo informacion apo dyshim për raste të dhunës në familje mund të raportohet përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë””, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







