Njësia për Ndërlidhje me Gjykatat në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar më 6 korrik 2026, ndërsa personi ishte i kërkuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i arrestuari është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit me burgim prej tre vitesh, ku përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet maksimalisht e përkushtuar në zbatimin e vendimeve të organeve të drejtësisë dhe në realizimin e urdhër-arresteve, me synim forcimin e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim./teve1.info/








