Një zjarr i madh që po përhapet në mënyrë të pakontrolluar në jugperëndim të Francës ka detyruar evakuimin e mbi 10 mijë personave nga rreth dy duzina qytete dhe fshatra të vegjël pranë kufirit me Spanjën, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se erërat e forta të së hënës pritet ta përkeqësojnë situatën.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po dërgon katër avionë për fikjen e zjarreve nga Qipro dhe Suedia për të ndihmuar zjarrfikësit në zonën pranë qytetit Perpignan. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në platformën X se “Evropa qëndron me Francën”.
Zjarri ka djegur rreth 4 mijë e 600 hektarë në zonat kodrinore të Pirenejve francezë, ka bërë të ditur prefekti lokal Pierre Regnault de la Mothe, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm francez Laurent Nuñez ka paralajmëruar për përkeqësim të kushteve.
“Këtë mëngjes kushtet po përkeqësohen sërish. Sot beteja rifillon”, ka deklaruar ai për televizionin TF1.











