Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka reaguar lidhur me kontrollet zyrtare që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po zhvillon në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke ritheksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë përgjegjësi institucionale dhe nuk mund të jenë objekt i përjashtimeve apo standardeve të dyfishta.
Sipas ministrit, kontrollet që po zhvillon AUV-ja janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë “Vita”, njësoj si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale.
“Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin.” – ka deklaruar ministri Muja, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Ai theksoi se kontrollet zyrtare kanë për qëllim verifikimin e respektimit të protokolleve të prodhimit, zbatimin e standardeve dhe dispozitave ligjore, vlefshmërinë e licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomikë me legjislacionin në fuqi.
Ministri nënvizoi se qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve është mbrojtja e interesit publik, garantimi i sigurisë ushqimore, mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve dhe sigurimi i kushteve të barabarta për të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.
Ai shtoi se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore dhe se kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomikë pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, duke garantuar zbatim të njëjtë të ligjit për secilin subjekt.







