Ky mëngjes nuk ishte i zakonshëm për Faruk Ukajn.
Vetura e tij përfundoi në këtë gjendje, pasi zjarri përfshiu kontenierët e lagjes në rrugën Sylejman Vokshi në Prishtinë.
Për rastin Ukaj tregon se u njoftua nga Policia.
“Kam qenë në gjumë, pastaj na ka thirrur policia. Kur kemi dalë, i pamë se kontejnerët tashmë ishin kapluar nga zjarri. Fatkeqësisht, është dëmtuar edhe vetura ime, të cilën me shumë mund e kam siguruar për ta pasur më të lehtë qarkullimin në distanca më të gjata”, është shprehur Ujkani.
Ukaj rrëfen se u detyrua që veturën e tij ta lë në afërsi të kontenierëve, për shkak se parkingu i dedikuar për personat me nevoja të veçanta nuk ishte i lirë.
“Kam një vërejtje shumë të madhe për kompaninë Prishtina Parking. Përballë banesës sime është i dedikuar një parking për persona me aftësi të kufizuara. Edhe pse kam bërë kërkesa, si gojarisht ashtu edhe me shkrim, katër ose pesë herë, tash e një vit e gjysmë ende nuk kanë ardhur ta bëjnë shenjëzimin vertikal dhe horizontal të atij parkingu. Si pasojë, ai vend vazhdimisht zëhet nga vetura të tjera. Edhe dje ai parking ka qenë i zënë. Tani ndodhi edhe kjo fatkeqësi”, ka thënë tutje Ujkani.
Nga zjarri në këtë rrugë u dogjën gjithsej nëntë kontenierë.
Nga Kompania Regjionale e Mbeturinave, “Pastrimi”, kanë treguar për TËVË1 se së shpejti do të bëjnë zëvendësimin e tyre.
“Ky akt i papërgjegjshëm shkakton dëme të konsiderueshme materiale për ndërmarrjen dhe, mbi të gjitha, cenon shërbimin publik për qytetarët, duke vështirësuar menaxhimin e mbeturinave në atë zonë. KRM “Pastrimi” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në rast se kanë informacione lidhur me këtë rast ose janë dëshmitarë të ngjarjes, t’i njoftojnë organet kompetente”, ka thënë Fazliu.
Rasti është duke u hetuar edhe nga policia e Kosovës, për t’i mësuar saktësisht shkaqet e zjarrit.






