Profesori Fatmir Çollaku ka vlerësuar se zvarritja e procesit të formimit të institucioneve po i shkakton dëme Kosovës, duke theksuar se vendi nuk ka kohë për një krizë të re politike.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ai u shpreh se çdo ditë pa institucione funksionale është një humbje për vendin dhe bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike sa më shpejt.
Sa i përket zhvillimeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Çollaku tha se pakënaqësitë ndaj kryetarit të partisë lidhen me dallimet në vizionin për drejtimin e saj.
Sipas tij, këto mospajtime mund të reflektohen në proceset e ardhshme të brendshme të partisë, ku anëtarësia mund të vendosë të mos ia dhurojë besimin kryetarit.
Profesori vlerësoi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të ndërmarrë hapa për të ndërtuar një partneritet me partitë parlamentare për formimin e institucioneve, duke shtuar se LDK-ja do të ishte zgjedhja e parë për një bashkëpunim të tillë.
Ai shtoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me LDK-në, edhe Aleanca mund të jetë e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve.
“Kosova çdo ditë humb nëse zvarritet prapë procesi i formimit të institucioneve, zërat në LDK mund të mos shuhen por të menaxhohen mirë. Ato divergjencat partiake dhe mospajtimet me kryetarin në vizionin e tij për të udhëhequr partinë ka mundësi vitin e ardhshëm të mos i japin pëlqimin për të mos qenë kryetar…LVV do duhej të iu ofron bashkëpunim ose marrëveshje politike subjekteve, LDK sipas mendimit tim do të ketë prioritet nga mundësia që do të i jep VV si partner për t’i bërë institucionet, për mua më e rëndësishme është që me u formua institucionet e Kosovës me vazhdua institucionet përpara sepse shumë dëm kemi dhe mund të kemi në qoftë se riciklohet kriza.
Nëse VV i ofron partneritet bashkëpunim LDK-së në formimin e institucioneve, Aleanca është subjekt tjetër i radhës i gatshëm për të kontribuuar në formimin e këtyre institucioneve pa kushte, për mua është gjë e mirë për demokracinë dhe Kosovën nëse vërtet praktikisht maltrealizuar dhe institucionalizuar në këto deklarime”, ka deklaruar Çollaku./teve1.info/







