Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, nuk u miratua vendimi për ndarjen buxhetore prej 100 mijë eurove për ndërmarrjen publike “Prishtina Parking”.
Pro këtij vendimi ishin vetëm nëntë asamblist, ndërsa 14 kundër.
Nënkryetari i komunës, Florian Dushi kërkoi ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria e subvencioneve në vlerë prej 100 mijë euro.
“Për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme ndryshimeve që detyrimisht jemi futur ndryshimeve, që një kohë është ballafaquar me probleme financiare. Një propozim vendim për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria e subvencioneve në vlerë 100 mijë euro. Kërkoj që të mbështetet ky vendim, për faktin që deri të përfundoj procedura e ndryshimit të rregullores, të aprovohet kjo mbështetje financiare për ndërmarrjen”, tha Dushi.
Mbështetjen e kishte nga LDK-ja e PDK-ja, por jo nga VV e PSD.
Nora Kelmendi nga VV tha se vendimi nuk i përmbush kushtet dhe standardet minimale të arsyetimit dhe transparencës.
“Pas shqyrtimit të këtij dokumenti konstatojmë që ky vendim nuk i përmbush kushtet dhe standardet minimale të arsyetimit dhe transparencës. Sapo e kuptova që kemi të bëjmë me subvencion. Vendimin që e kemi është i zbrazët. Vendimi fillimisht nuk përmban arsyetim, nuk tregon qëllimin. Nuk e keni përcaktuar shumën e mjeteve financiare gjë që e bënë të pamundur vlerësimin e këtij vendimi. Në vendim nuk e keni treguar burimin e financimit”, tha Kelmendi.
Edhe Besa Shahini nga PSD-ja tha se një vendim i tillë, është i pamundur të votohet shkak i zbrazëtisë së tij.
“Është e pamundur me votua këtë vendim në mënyrën si e keni sjellë. Dokumentacionin dërgojeni me kohë dhe arsyetime”, tha Shahini.
Gëzim Sveçla nga VV u ankua për keq-menaxhimin e ndërmarrjes, jo vetëm “Prishtina Parking”, por të gjitha ndërmarrjeve publike nga LDK e PDK.
“A njihni ndonjë kompani që ka monopolin, nuk ka konkurrencë, i ka klientët e garantuar dhe megjithatë kërkon subvencion nga qytetarët për të paguar pagat, qiranë dhe borxhet. Sot pikërisht kjo po na kërkohet, nuk është fjala vetëm me 100 mijë euro, por a duhet të shpërblejmë keq menaxhimin. Nuk ka rrezik që dikush t’ia marr konkurrentët. Në këto rrethana nuk do të duhej të ishte barrë për kuvendin e komunës. Nëse dështon një ndërmarrje, problemi nuk është tregu por menaxhimi dhe kjo nuk është rastësi, model i qeverisjes në Prishtinë tash e disa vite, model i LDK dhe PDK, ku ndërmarrjet publike janë shndërruar në vende punësimi politik, pa objektiva dhe llogaridhënie”, tha Sveçla.
Një deklaratë e tillë shkaktoi një replikë nga Bekim Gashi të LDK-së.
Gashi Sveçlës iu drejtua me deklarata se të njëjtit duhen të futen në burg, duke marrë shembull kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, që sipas tij nuk i përgjigjet drejtësisë e shkel edhe Kushtetutën e Kosovës.
“Duke dëgjuar dikë tjetër kisha thënë se është qysh po thonë, por shihni raportet, qeveria e Kosovës, sa ndërmarrje në nivel qendror u ka ndihmuar. Ju keni vjedhur edhe në maxhe, në rezerva shtetërore, ka aktakuzë.. Nuk duhet të na shesin moral këtu, kur një kryeministër i vendit nuk i përgjigjet as drejtësisë e ka shkelur 16 herë kushtetutën e Kosovës, këta duhet të shkojnë në burg”, tha Gashi.







