Për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, do të protestohet edhe në Kroaci. Protesta do të mbahet më të dielën e kësaj jave, më 5 korrik.
Për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, do të protestohet edhe në Kroaci. Protesta do të mbahet më të dielën e kësaj jave, më 5 korrik.
E, thirrje për pjesëmarrje në protestën “Liri për çlirimtarët”, e cila do të mbahet në Zarë të Kroacisë, kanë bërë organizatat e dala nga lufta.
Në një konferencë për media, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, tha se protesta organizohet në një periudhë kur procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara po i afrohet përfundimit, duke shprehur shpresën se vendimi do të jetë në favor të të akuzuarve.
Ai theksoi se protesta është iniciuar nga shqiptarët dhe kroatët që jetojnë në Kroaci, ndërsa organizatat e dala nga lufta do ta mbështesin në çdo formë organizimin e saj.
“Ne do ta mbajmë një protestë ditën e diel, në ora 18:00 të mbrëmjes, me 5 korrik. Të organizuar nga shqiptarët në Kroaci dhe nga kroatët. Ne si shoqata të dala nga lufta, dhe si organizata, do t’ju japim mbështetje atyre, siç do t’i mbështesim në çdo formë që mundemi. Andaj do t’ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë, punojnë, veprojnë në shtetin kroat, po edhe mërgatës, të cilët edhe janë në pushime në Kroaci apo kudo që të jenë, që me datën 5 korrik, ditën e dielë, në ora 18:00, në Zarë të Kroacisë, të bashkëngjiten protestës ‘Liri për çlirimtarët’”, deklaroi Gucati.
Ai shtoi se në tubim pritet të marrin pjesë edhe arbëreshët që jetojnë prej dekadash në këtë qytet, duke theksuar se edhe ata kanë shprehur dëshirën dhe kërkesën për t’iu bashkuar kësaj nisme në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.




