Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec ka dalë me një qëndrim zyrtar pas analizës së rezultatit të zgjedhjeve lokale të 7 qershorit, duke kërkuar nisjen e një procesi të përgjithshëm zgjedhor brenda partisë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Degës, të mbajtur më 26 qershor, anëtarët kanë vlerësuar se rezultati i arritur nuk ka qenë në përputhje me pritjet, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
Në reagim thuhet se drejtuesit e degës marrin përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe konsiderojnë se LDK-ja duhet të organizojë zgjedhje të brendshme në të gjitha strukturat, duke filluar nga nëndegët e deri te kryetari i partisë.
Sipas tyre, një proces i tillë do t’i shërbente reformimit të partisë dhe forcimit të saj për sfidat e ardhshme politike.
Dega e LDK-së në Rahovec thekson se zgjedhjet e brendshme duhet të zhvillohen në përputhje me statutin e partisë dhe mbi parimet e transparencës dhe përfshirjes së të gjitha strukturave, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për rikthimin e besimit dhe konsolidimin e LDK-së. /teve1.info/








