Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet funksionale, duke e cilësuar atë si një nga mekanizmat e rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit.
Gërvalla bëri të ditur se sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për këtë Byronë, duke falënderuar qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë për kontributin e dhënë me komente dhe sugjerime gjatë procesit.
Sipas saj, të gjitha vërejtjet e pranuara do të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që ligji të jetë sa më funksional dhe i qëndrueshëm.
Ajo theksoi se krijimi i kësaj Byroje është një zotim institucional për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Gërvalla shtoi se pasuria e pajustifikueshme duhet të verifikohet dhe, në rastet kur nuk justifikohet me burime të ligjshme, të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve.








