Sot rreth orës 09:20 është vetaksidentuar një kamion që po transportonte zhavorr në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Malishevë–Prishtinë, në kilometrin 58. Nga aksidenti s’ka të lënduar përveç dëmeve materiale.
Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Luljeta Mehmeti, e cila tha se aktualisht komunikacioni po zhvillohet i kufizuar vetëm në një shirit.
“Në aksident është përfshirë një automjet transportues i ngarkuar me zhavorr. Si pasojë e aksidentit ngarkesa është shpërndarë në rrugë. Sipas njoftimit nga njësitë në terren për momentin qarkullimi në këtë segment të autostradës është i kufizuar vetëm me një shirit rrugor ndërsa njësitet policore dhe ekipet kompetente ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme për lirimin e plotë të qarkullimit”.
Policia e Kosovës u bëri thirrje pjesëmarrësve në trafik për respektim të rregullave të trafikut.







