Policia australiane ka sekuestruar 2.7 ton kokainë në një operacion të madh në perëndim të Sidneit, duke shënuar konfiskimin më të madh të këtij lloji të drogës në historinë e Australisë.
Lënda narkotike, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 816 milionë dollarësh australianë (500 milionë euro), u zbulua të premten në një sistem bunkerësh të fshehur nën dysheme të rreme në tre kontejnerë transporti, në një pronë në zonën e Londonderry, raporton BBC.
Dy persona, të moshës 21 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se tentuan të largoheshin nga vendngjarja kur mbërriti policia, u arrestuan dhe u akuzuan për posedim të një sasie komerciale të një droge të importuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas autoriteteve, kokaina ishte futur në Australi përmes qytetit të vogël Midge Point në Queenslandin Verior, me urdhër të një grupi të organizuar kriminal.
Të dy të arrestuarit dolën para gjykatës të shtunën dhe u lanë në paraburgim. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dënim të përjetshëm.
Megjithëse është një vend relativisht i izoluar gjeografikisht, Australia mbetet një nga tregjet më fitimprurëse për trafikimin e kokainës. Sipas të dhënave të monitorimit të drogës nga Universiteti i New South Wales, një gram kokainë mund të shitet deri në 300 dollarë australianë në tregun e paligjshëm.









