Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër do të zhvillohet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19 mijë e 514 nxënës në 152 qendra testimi në mbarë vendin.
Sipas ministrisë, procesi i testimit do të administrohet nga 1 mijë e 360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, të cilët janë trajnuar paraprakisht për mbarëvajtjen e procesit.
Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30.
“Të gjithë maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, për të përfunduar me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit”, thuhet në njoftim.
Ministria bëri të ditur se testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përfshijë katër lëndë: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga kandidati.
Në total, testi përmban 100 pyetje, me nga 25 kërkesa për secilën lëndë.
MASHT-i ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar.
“Çdo kandidat që konstatohet me një pajisje të tillë do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse e ka përdorur apo jo”, theksohet në njoftim.
Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës u uron suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/








