Byroja Kosovare e Sigurimit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore të Kosovës, ka lansuar sot fushatën vetëdijësuese për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit.
Në konferencën e lansimit u tha se qëllimi i kësaj nisme është rritja e informimit të qytetarëve mbi përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit, si një mekanizëm praktik dhe efikas për trajtimin e aksidenteve me dëme materiale.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, foli për rolin e Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë në komunikacion dhe në menaxhimin e rasteve të aksidenteve rrugore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe përdorimit të Raportit Evropian të Aksidentit për trajtimin më efikas të rasteve me dëme materiale.
“Pasqyrimi i gjendjes së sigurisë në komunikacion për periudhën janar-maj tregon se numri i aksidenteve me persona të vdekur është pothuajse i njëjtë, me 38 persona që kanë humbur jetën. Ndërkaq, aksidentet me dëme materiale kanë shënuar rënie. Kosova, në krahasim me disa shtete të rajonit, qëndron dukshëm më mirë sa i përket numrit të personave që humbin jetën në aksidente trafiku. Kjo edhe përkundër faktit se numri i automjeteve dhe i shofereve është rritur vazhdimisht, ndërsa aktualisht kemi rreth 950 mijë shoferë të licencuar”, tha Hoxha.







