Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”, pas një ngjarjeje të regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 00:20, zyrtarët policorë që po patrullonin në zonë kanë vërejtur një burrë duke ushtruar dhunë ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Menjëherë pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Sipas policisë, të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme, ndërsa viktimat kanë refuzuar tretmanin mjekësor.
Gjatë intervistimit është konstatuar se i dyshuari dhe viktimat kanë lidhje familjare. Po ashtu, pas testit të alkoolit, i dyshuari ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit me 1.06 promil.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa i dyshuari është ndaluar në mbajtje policore për 48 orë./teve1.info/







