Tani duket si çdo vendbanim i zakonshëm.
Por gjatë luftës, kjo shtëpi kryente një funksion krejt ndryshe.
Halil Syla nga Vushtrria, gjatë viteve ’98-’99, e kishte liruar atë në një objekt shkolle.
Kjo u mundësonte nxënësve vushtrrias të mbanin mësim, gjatë kohës së okupimit serb.
Të njëjtin mision kishin ndërmarrë edhe vëllezërit e tij, duke bërë të mundur që edhe pesë shtëpi të tjera të shndërroheshin në shkolla.
“U ardhë Haxhi Ferizi, u kanë iniciator i LDK-së, Hazer Krasniqi, në krye të LDK-së. U ardhë Bajram Mullaku, u kanë kryetar komune atëherë. Edhe ka edhe të tjera emra. Janë ardhë, edhe hyjnë brenda këtu në shpi. Jena ardhë thotë, me bë një lutje, thotë: ‘Të ju thotë, se nxënësit na metën krejt përjashtë’”, ka thënë Syla.
Por që nga ajo ditë, kontrollet policore serbe në shtëpinë e Halilit nuk kishin të ndalur.
“Na kanë kontrolluar çdo tre katër ditë, gjithë na kanë rrethekuar, na kanë marrë, na kanë çuar, dikë e kanë rrah, dikë e kanë shuar, deri 14 vetë që i kam nxjerrë vetë, e një 15-të, lidhur na kanë çuar në stacion”, ka thënë tutje Syla.
Ashtu siç tregon Halili, ushtarët serbë synim kishin ta shkatërronin edhe ushqimin.
“A beson dikush a s’beson, për mos me hangër na, i futke duart se mos ka diçka në turshi aty”, theksoj Syla.
27 vite pas nga lufta, Halili tregon se ende mban kontakt me disa nga nxënësit, të cilët e falënderojnë atë për kontributin e dhënë.






