Trajneri i Iranit tha se u është urdhëruar të largohen nga SHBA-ja dhe të kthehen në kampin stërvitor në Meksikë vetëm disa orë pasi hapën turneun duke luajtur 2:2 me Zelandën e Re, në orët e para të së martës sipas kohës në Kosovë.
Trajneri Amir Ghalenoei nuk tha se kush i urdhëroi iranianët të largoheshin më herët se sa ishte planifikuar. Ekipi priste të kalonte natën në Kaliforni për të kryer procesin normal të rikuperimit pas ndeshjes së parë. Por pas ndeshjes me Zelandën e Re, iranianëve u është thënë se duhet të hipnin menjëherë në aeroplan për udhëtimin drejt Tijuanas së Meksikës.
Irani i luan në SHBA ndeshjet e fazës grupore por mes tensioneve politike, është vendosur që iranianët të qëndrojnë në Meksikë e jo në SHBA gjatë Kupës së Botës. Për kohë të gjatë kishte dilema nëse Irani edhe do të jetë pjesë e Botërorit.
Kapiteni Mehdi Taremi ka thënë se ekipi i është nënshtruar udhëtimit dhe kontrolleve të sigurisë prej pesë orëve gjatë asaj që normalisht është një udhëtim i shkurtër nga Tijuana për në zonën e Los Angelesit.
Taremi dhe Ghalenoei kanë kritikuar edhe mungesën e shumë anëtarëve të rëndësishëm të stafit të ekipit, të cilëve iu mohuan vizat nga SHBA-ja. Këtu përfshihen presidenti i federatës, personeli mbështetës për trajnerë si dhe zyrtarët e medias.
Te Irani janë ankuar se nuk kanë pasur përgatitje të duhura për Botëror.
Jashtë stadiumit ka pasur protestë kundër qeverisë së Iranit nga qindra iraniano-amerikanë. Gjatë himnit një pjesë e shikuesve kanë kthyer shpinën kah fusha. Dhjetëra flamuj me luan dhe diell, që ishte flamuri zyrtar i Iranit para vitit 1979, janë shfaqur në turmën e shikuesve, me gjithë përpjekjet e FIFA-s për të pamundësuar këtë.










