Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për një rast të cilësuar si “vjedhje e rëndë” në Suharekë, pas disa ditësh hetimesh nga hetuesit e Stacionit Policor në këtë komunë.
Sipas njoftimit, ngjarja kishte ndodhur më 11 qershor 2026, rreth orës 02:20, në hyrje të një marketi në rrugën “Brigada 123” në Suharekë.
Sipas ankuesit, dy persona të panjohur e kishin sulmuar në hyrje të lokalit, ku njëri e kishte kapur me forcë për krahu, ndërsa tjetri i kishte marrë 200 euro nga xhepi.
Pas veprimit, të dy personat ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Fillimisht, rasti ishte cilësuar si “grabitje”.
Pas disa ditësh hetime, më 15 qershor, policia arriti të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin R.K., 27-vjeçar nga fshati Tërnje i Suharekës.
Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, prokurori i rastit ka vendosur rikualifikimin e veprës penale në “vjedhje të rëndë”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Ky rast tregon përkushtimin e policisë në zbardhjen e veprave penale dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë. Kjo mbetet një shembull i punës së vazhdueshme të policisë që shpesh zhvillohet larg syrit të publikut, por me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







