Në fshatin Kobaj, të Prizrenit, një 27 vjeçar humbi jetën pas një përleshje mes familjarëve. E shkak i kësaj përleshje dyshohet të jetë emërtimi i rrugës.
Vrasja e 27-vjeçarit në Prizren, rruga pa emër “ mollë sherri” mes kushërinjve.
Është rrugë pa emër, në fshatin Kobajë të Prizrenit.
E pikërisht për emërtimin e saj, dyshohet se paraditen e së dielës, nisi një konflikt mes kushërinjve.
E ky sherr, i kushtoi me jetë një 27-vjeçari.
A.O dyshohet se u godit me thikë nga djali i axhës, meqë nuk u pajtuan për emrin e rrugës.
Për shkak të gjendjes së rendë emocionale, familjaret nuk kanë pranuar të flasin para kamerës. Por, prapa saj, të afërmit thonë se konflikti nisi për këtë rrugë.
Të afërmit, prapa kamerës i thanë televizionit se viktima dhe dorasi i dyshuar, ditë më parë patën një konflikt për të njëjtën arsye.
Ndërsa në gjendje të rëndë, ndodhet edhe babai i viktimës.
“Rreth rasteve të Klinikës së Traumës, janë sjellë dy persona të lënduar me mjet të mprehtë. Njëri ka qenë djalosh, 27-vjeçar, pa shenja jete, është tentuar reanimacioni, mirëpo ka qenë e pamundur për shkak se lëndimi ka qenë direkt në zemër, edhe lëndimi ka qenë fatal për pacientin. Ndërsa rasti tjetër po ashtu i lënduar me mjet të mprehtë në regjionin e gjoksit të majtë, është trajtuar së pari në Emergjencë, pastaj nga kirurgu, është pranuar në Repartin e Kirurgjisë, është trajtuar dhe vazhdon ende trajtim në repartin e Kirurgjisë”, thuhet nga Spitali i Prizrenit.
E në vendngjarje, të dielën u panë ekipe të shumta policore.
E nuk munguan as hetuesit dhe ekipet e forenzikës.
Nga policia, thonë se në këtë përleshje u përfshinë katër persona me lidhje të ngushta familjare.
“Deri më tani kemi informacion se janë të përfshirë gjithsej katër persona, familjarë të ngushtë ndërmjet veti, dy nga njëra palë, dy nga pala tjetër. Tre nga ta tashmë kanë marrë lëndime, njëra është si pasojë me pasoja fatale. Për rastin Policia pastaj ka marrë informacion, menjëherë e ka nisur drejtim të vendit të ngjarjes…Menjëherë janë identifikuar të gjithë ata që janë të përfshirë, deri më tani kemi gjithsej katër persona, ka mundësi që të dalin edhe të tjerë edhe të gjithë janë të siguruar”, tha zëdhënsi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ndryshe, dorasi i dyshuar është arrestuar ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.










