Holanda dhe Japonia do të përballen në “AT&T Stadium” të Teksasit këtë të diel, nga ora 22:00, dhe do të jetë kryendeshja e Grupit F të Kupës së Botës.
Ndeshja tjetër e grupit është ajo mes Suedisë dhe Tunizisë, që nis në orën 4 të mëngjesit të së hënës, në Monterrey.
Holanda paraqitet në Botëror për herën e 12-të në këtë garë, ndërsa përvojë të madhe kanë edhe japonezët që luajnë për herën e tetë.
Ndeshja e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve u mbyll 2:2.
Holanda bëri vend në Botërorin e këtij viti pasi e mbylli kampanjën kualifikuese të Grupit G pa humbje. Nën udhëheqjen e Ronald Koemanit, holandezët morën 20 pikë nga 24 sa ishin të mundshme.
Sulmi i “tulipanëve” pritet të jetë në formë ndaj “samurajëve blu”, që vlerësohen lart për gjeneratën aktuale dhe për stilin e lojës me ritëm të lartë.
Suedia, ku luan edhe Besfort Zeneli, ish-futbollisti i Kosovës U21, kishte kampanjë interesante kualifikuese, por bëri vend për Botëror në fund. Suedia ishte e fundit në grup me Kosovën, por avancoi nëpërmjet plejofit. Fitoi në finale ndaj Polonisë.
Suedia synon ta kalojë grupin për herë të pestë rresht. Ndërkohë, për Tunizinë paraqitja e tretë e njëpasnjëshme në Kupë të Botës. Në ndeshjet e ndërsjella, Suedia i ka dy fitore, Tunizia një, derisa një tjetër ndeshje u mbyll baras.









