Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar të premten në mbrëmje procesin e numërimit të votave të ardhura përmes postës, duke shënuar një tjetër fazë të rëndësishme në kompletimin e rezultateve zgjedhore.
Sipas KQZ-së, fletëvotimet e votuesve nga diaspora janë klasifikuar dhe sistemuar sipas komunave përkatëse, ndërsa numërimi ka nisur fillimisht me një kuti votimi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 105 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar mundësinë e votimit me postë, çka e bën këtë kategori votash një faktor të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Paralelisht me këtë proces, vazhdon edhe numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike. Deri tani janë procesuar 34 nga 47 vendvotime të hapura në ambasada dhe konsullata.
Ndërkohë, në vend kanë mbetur pa u numëruar edhe disa vendvotime në Prishtinë.
Bazuar në rezultatet e deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje mban epërsinë me 50 mandate në Kuvend, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 23 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 19 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 mandate.








