Më 11 qershor të vitit 1999, hyri në Prishtinë.
Atë të premte Enver Haxholli ishte në mesin e 120 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këta të fundit, nga Zona Operative e Llapit, kishin marrë urdhrin për t’u futur në kryeqytet.
“Ne na ka ardh informata në Zonën Operative të Llapit, në Brigadën 153 ku ka qenë komandat Adem Shehu dhe Fatmir Sopi dhe kemi marr iniciativën edhe kena hy në Prishtinë. Komandant ka qenë Sejdi Veseli thjesht kemi hy 120 ushtarë të UÇK-së tu u nis prej pjesës te bunari i Ajratit e kena përfshi Prishtinë. Të gjithëve na caktuan nëpër pika, nëpër togje te vogla ka shtatë vetë dhe thjesht e kemi zhvillu luftën këtu në Prishtinë”, shprehet Haxholli.
Kjo ngjarje shënoi më pas, edhe çlirimin e Prishtinës.
E më të njëjtën uniformë, në Ditën e Çlirimit, në kryeqytet pas 27 viteve zbarkoi edhe komandanti Islam Kelmendi.
“Nga dita e Çlirimit e kujtojmë hyrjen tonë. Ne jemi këtu se e kemi pas zonë të përgjegjësisë, por ne i kemi prit të gjithë ata që kanë ardh edhe KFOR-it edhe gjithë luftëtarët prej të gjitha zonat sidomos prej zonës së pestë operative kur kanë hy me njësit e veta duke filluar nga Brigata 151, 23 edhe kjo ka qenë diçka e veçant se e ka arrit atë kulmin e asaj që e kemi prit me shekuj”, u shpreh Kelmendi.
Ky grup i ish-ushtarëve të UCK-së, që atë ditë hynë në Prishtinë, tri dekada më pas u bën bashkë sërish.
“Kur e kam veshur uniformen 98-tën e kom llogarit që e kom veshur qefin e dekës dhe prej asaj dite edhe sot kjo për mu është gjithçka…Për mu ajo është e paharrueshme, kur njerëzit u frikësojshin të dalshin edhe nga shtëpitë e tyre, banesave. Kur e pan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një ringjallje përsëri e kombit edhe një shpresë, një unitet i jashtëzakonshëm ka qenë”, tha Rafi Pllana, ish –ushtar i UÇK-së.
“Dita e Çlirimit është dit e madhe për neve për popullin tonë mas shumë vuajtjeve, sakrificave, dëshmorëve, invalitëve, veteranëve të luftës sonë të lavdishme çlirimtare që llogaritet lufta më e drejt në rruzin tokësor”, u shpreh Islam Gashi –zëvendëskomandant i togut.
E nga këtu, veteranët marshuan në sheshet kryesore të kryeqytetit.
E nuk mungoi as kënga, që dikur e këndonin në frontet e luftës.
Ndërsa marshit i priu edhe një herë, Komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
E krah remit, edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama.
“Kemi bërë një marsh si shenjë e përkujtimit të sakrificës së madhe, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të secilit dëshmor, të secilës familje që ka sakrifikuar çdo gjë që sot ta kemi lirinë, demokracinë, që sot të bëhemi bashkë e të planifikojmë për të ardhmen e vendit tonë. Urime 11 qershori, dita e çlirimit të kryeqytetit, faleminderit shumë veteranëve, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe familjeve që kanë dhënë çdo gjë që sot të jemi të lirë e ta festojmë këtë ditë të mrekullueshme në paqe”, u shpreh Rama.
Ndryshe, me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës përveç marshit, të enjten u bën homazhe tek shtatorja e heroit “Zahir Pajazitit” si dhe tek varrezat e dëshmorëve në kryeqytet.






