Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025, e cila i ngarkon të pandehurit me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjykata ka bërë të ditur se bazuar në propozimin e Prokurorisë Speciale, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata nuk kanë qenë të qasshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje të gjithë të akuzuarve që të paraqiten para organeve kompetente të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, qytetarët që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tyre janë ftuar që t’i ndajnë ato me Policinë e Kosovës ose institucionet tjera përgjegjëse.
Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet më 20 korrik 2026, në ora 10:00, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, nën drejtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani.
Gjykata ka njoftuar se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit dhe në Gazetën Zyrtare, ndërsa opinioni publik do të informohet edhe për zhvillimet e ardhshme lidhur me këtë rast./teve1.info/







