Ka pak kohë që Ardian Gjini ka marrë drejtimin e Aleancës.
E me të në krye, partia është rrugës për të siguruar një prej rezultateve më të mira prej kohësh.
Sipas rezultateve preliminare, Aleanca pritet që të përfaqësohet nga plot tetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Në legjislaturën e fundit, AAK kishte gjashtë deputetë në Kuvend.
Bazuar në rezultatet preliminare, Aleanca siguroi 7.16%, apo 49 mijë e 917 vota. Këtu nuk janë të përfshira votat e diasporës.
Por çfarë ndikoi që AAK ta rriste përqindjen?
“Numri i votuesve në këto zgjedhje ishte më i ulët dhe në këso situatash zakonisht përfitojnë partitë politike të cilat kanë përqindje më të vogël ose që janë më të vogla dhe indikatori tjetër më i rëndësishëm për mendimin tim është që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishte mobilizuar në masë të madhe votuesin e tij për shkak se shumë kush e konsideronte se mund të jetë rrezikuar në kalimin e pragut”, ka thënë Gojnovci.
Sipas analistit politik, Ejup Gojnovci, në këtë rezultat nuk ka ndikuar “reformimi”pasi kryetar i saj u zgjodh Ardian Gjini.
“E para që z.Gjini e mori partinë fare afër nga data e zgjedhjeve, nuk kishte shumë hapësirë ta tregonte reformën që ai mund ta bëjë dhe e dyta kushdo që e drejton Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës gjithsesi hija e z.Haradinaj aty mbetet shumë e rëndësishme dhe njerëzit e votojnë në masë të madhe për shkak se z.Haradinaj është edhe themelues edhe drejtues i saj për shumë vjet”, theksoj Gojnovci.
Rezultati i mbrëmshëm e gëzoi kryetarin e nderit të AAK-së, Ramush Haradinajn.
“Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Haradinaj.
Rezultatin e mirëpriti edhe nënkryetari i partisë, Daut Haradinaj, që suksesin ia dedikoi kryetarit Gjini.
Mandatin e deputetit, Haradinaj deklaroi se do t’ia dorëzoj dikujt tjetër nga subjekti i tij.






