Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se rezultati i deritanishëm zgjedhor nuk i ka përmbushur pritjet e partisë së tij, ndonëse pret që PDK-ja të ketë një përfaqësim më të madh në Kuvend krahasuar me mandatin e kaluar.
Duke komentuar rezultatet preliminare, Hamza tha se partia kishte synuar një rezultat më të lartë dhe beson se potenciali elektoral i PDK-së ka qenë më i madh sesa ai që është reflektuar aktualisht në vota.
“Ne kemi pritur më shumë dhe kemi mundur të bëjmë më shumë. Megjithatë, nëse i referohemi numrit të mandateve, pres që të kemi më shumë deputetë sesa në legjislaturën e kaluar. Po presim rezultatet përfundimtare për të parë pozicionin final të partisë”, u shpreh ai.
Hamza foli edhe për procesin zgjedhor, duke vlerësuar se qytetarët kanë pasur mundësi të votojnë lirshëm, por ngriti shqetësime për kushtet në të cilat është zhvilluar gara politike.
Sipas tij, përdorimi i mjeteve publike dhe resurseve shtetërore gjatë fushatës ka ndikuar në balancën e garës zgjedhore.
“Zgjedhjet kanë qenë të lira, por s’kanë qenë të drejta, kanë qenë të pabarabarta, për shkak se është përdorur paraja publike, e cila ka rezultuar me këtë rezultat dhe për këtë qëllim unë kam thënë që zgjedhjet mund të jenë të lira, por s’janë të ndershme. Përdorimi i parasë publike e ka bërë efektin e vetë, gjithashtu edhe resurset shtetërore të përdorura në proces zgjedhor”, deklaroi ai në konferencë për media.
Ai shtoi se vlerësimi përfundimtar i rezultatit do të bëhet pas përmbylljes së të gjitha fazave të numërimit dhe certifikimit të votave, përfshirë ato të diasporës dhe kategorive të tjera që ende nuk janë përfshirë në rezultatet preliminare. /teve1.info/







