Kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Por, të enjten, një person ra në prangat e Policisë së Kosovës, nën dyshimin për ryshfet.
Në Uglarë të Graçanicës, një qytetar i nacionalitet serb ofronte udhëzime si të votohet Lista Serbe të dielën, duke premtuar përfitime të ndryshme.
Siç mëson televizioni, i dyshuari është Aleksandër Trajkoviq.
Detaje rreth arrestimit të tij dhanë nga Policia.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin. Në lidhje me rastin janë intervistuar dy dëshmitarë meshkuj kosovarë. Është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, ku si prova materiale janë konfiskuar material për votim dhe katër telefona mobil”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të një lokali dhe objekteve të tjera ku ishte lokalizuar vendndodhja e të dyshuarit, janë gjetur një numër i madh i fletëvotimeve të printuara me hijëzim të subjektit politik “Lista Serbe”.
Trajkoviq dyshohet se u premtonte qytetarëve përftime të ndryshme sociale, në këmbim të votës së tyre.
“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari kishte kontaktuar qytetarë nga komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian duke u premtuar përfitime të ndryshme sociale në këmbim të votimit sipas udhëzimeve apo kërkesave të tij. Poashtu, ekzistojnë dyshime se ai u kishte ofruar udhëzime lidhur me mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve në ditën e zgjedhjeve”.
Me vendim të prokurorit, Aleksandër Trajkoviq është ndaluar për 48 orë.



