Roli i heronjve dhe dëshmorëve në ndërtimin e lirisë së Kosovës, ruajtja e kujtesës kolektive dhe nevoja për trajtim të mirëfilltë shkencor të historisë së rezistencës shqiptare u theksuan në konferencën shkencore “Përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve kombëtarë për çështjen e Kosovës”
Kjo konferencë është organizuar për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Në seancën hapëse të konferencës, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se nderimi i heronjve dhe dëshmorëve nuk duhet të kufizohet vetëm në ceremoni përkujtimore, por të mbështetet edhe në hulumtime shkencore dhe dokumentim institucional.
Ai theksoi se kujtesa kolektive ruhet përmes dijes dhe kërkimit shkencor.
“Përgjegjësia jonë institucionale nuk përfundon me nderimin ceremonial të heronjve dhe dëshmorëve. Ajo fillon pikërisht aty. Kujtesa kolektive nuk mbahet gjallë vetëm me monumente, por edhe me dije. Nuk ruhet vetëm nga përvjetorët, por edhe me kërkim shkencor, me dokumentim, me arsimim dhe me kulturë. Për këtë arsye, universitetet, institutet shkencore, shkollat, arkivat, bibliotekat dhe muzetë kanë një rol të pazëvendësueshëm. Detyra jonë është që faktet historike të hulumtohen me seriozitet akademik, dëshmitë të ruhen me kujdes institucional dhe historia t’u përcillet brezave të rinj me përgjegjësi profesionale dhe qytetare. Në këtë drejtim, arsimi ka një mision të veçantë. Nxënësit dhe studentët tanë duhet të kenë mundësi ta njohin historinë e Kosovës jo si një rrëfim të largët, por si një përvojë njerëzore dhe shoqërore që ka formësuar shtetin dhe lirinë që gëzojmë sot. Kjo kërkon hulumtime cilësore, dokumentim, botime shkencore, projekte muzeale, ekspozita, programe edukative dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndë rmjet institucioneve të arsimit dhe kulturës”, tha ai.
Çeku vlerësoi se rezistenca për lirinë e Kosovës ka qenë shumëdimensionale, duke përfshirë angazhimin ushtarak, politik, qytetar, diplomatik, intelektual dhe kulturor.
Ndërkaq, drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli, tha se heronjtë dhe dëshmorët përbëjnë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Ajo theksoi se përjetësimi i veprës së tyre mbetet obligim institucional dhe moral.
“Ata janë themeli mbi të cilët u ndërtua liria dhe shteti i Kosovës. Përjetësimi i veprës së tyre është obligim institucional, kombëtar dhe moral. Përmes trajtimeve shkencore, dokumentimit historik dhe qasjeve akademike, ne kontribuojmë që sakrifica dhe idealet e tyre të mbeten të gjalla në kujtesën e brezave që vijnë. Kjo konferencë dëshmon edhe një herë interesimin dhe përkushtimin e studiuesve shqiptarë për trajtimin e historisë sonë më të re. Në këtë konferencë me kumtesa janë paraqitur 71 studiues, gjë që i jep konferencës një dimension të veçantë shkencor dhe kombëtar. Me këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj sinqerisht të gjithë ata studiues për punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre në përgatitjen e kumtesave. Kontributi juaj është shumë i rëndësishëm për ndriçimin e ngjarjeve historike dhe pasurimin e historiografisë shqiptare, veçanërisht në një fushë ku për një kohë të gjatë ka munguar trajtimi i mirëfilltë shkencor i kontributit të heronjve dhe dëshmorëve të kombit nga studiues dhe institucione kërkimore-shkencore”, u shprej ajo.
Në seancën hapëse të kësaj konference, sekretari i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Arbër Hadri, foli për rrugëtimin historik të Kosovës drejt lirisë, duke vënë në pah sakrificat e brezave të tërë të veprimtarëve dhe luftëtarëve shqiptarë.
Ai tha se liria ka qenë ideal që ka mbajtur gjallë shpresën e shqiptarëve gjatë periudhave më të vështira të shtypjes.
“Liria nuk është vetëm mungesë e robërisë, ajo është dinjitet, identitet, e drejta për të jetuar, për të folur gjuhën tënde, për të ruajtur kulturën, historinë dhe të ardhmen tënde. Pikërisht pikërisht për këtë rruga drejt saj ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sakrifica të panumërta. Për popullin shqiptar në Kosovë liria ishte e drita që ndriçonte edhe në kohën më të errët të shtypjes, ishte forca që mbajti gjallë shpresën në burgje, në mërgim, në demonstrata dhe në fushën e betejës. Për hir të saj mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lanë familjet, ëndrrat dhe jetën e tyre duke zgjedhur të bëhen pjesë e përjetësisë së kombit shqiptar”, tha ai.
Ai përmendi figura të rëndësishme të rezistencës kombëtare, si Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Enver Hadri, duke vlerësuar ndikimin e tyre në formësimin e vetëdijes çlirimtare që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hadri theksoi se me daljen e UÇK-së në skenë, çështja e Kosovës fitoi trajtim më të madh ndërkombëtar, ndërsa sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 u shndërrua në simbol të lirisë dhe rezistencës.
“Me fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrjedha e trajtimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare filloi të ndryshonte dukshëm, duke e nxjerrë atë nga margjinat politike. Dëshmorët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, të rënë më 31 janar 1997, dhe Luan Haradinaj e Adrian Krasniqi shtruan altarin e lirisë së Kosovës. Gjatë viteve 1998-1999 në radhët e UÇK-së u dalluan një numër i madh luftëtarësh dhe komandantësh që u bënë shembull i guximit, vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Një nga momentet më të rëndësishme, më të rëndësishme dhe me kthesë në historinë e luftës çlirimtare ishte edhe qëndresa historike e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Sulmi i forcave serbe dhe rënia heroike e të gjithë familjes Jashari, Jashari u shndërruan Prekazin në simbol të sakrificës dhe të lirisë së Kosovës.Kontributit të veçantë në këtë kontekst dhanë siç e thamë me mijëra luftëtarë të cilët japin jetën për lirinë e Kosovës, do ta mund të të cekim: Agim Ramadanin, Shkëlzen Haradinaj, Sali Çekun, Iliaz Kodra, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, Mervejte Maksuti, Abeja, Mujë Krasniqi, Tahir Sinani, si dhe me me qindra dëshmorë dhe heronj të Kosovës të të cilëve duhet të kenë t’i përkujdeset tani institucionalja për shkrimin e historisë së tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Në konferencë kumtoi edhe historiani nga Universiteti i Tetovës, Marenglen Verli, i cili trajtoi zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai tha se shqiptarët e Kosovës, pavarësisht dallimeve politike të kohës, kishin si synim bashkimin me shtetin shqiptar, ndërsa pas luftës përpjekjet u orientuan drejt avancimit të statusit politik të Kosovës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar brenda Jugosllavisë.
“Në vitet e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Kosovës edhe një herë u shfaqën dukshëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe, pavarësisht nga orientimi politik, bënin diferencën midis Bujani-t dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ata dëshmuan edhe një herë synimin final, bashkimin me shtetin shqiptar të këtyre territoreve. Pas luftës, regjimi i ri i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, apo Jugosllavia e Titos apo Federata e Titos, e orientoi edhe një herë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe më gjerë në një drejtim të caktuar që mund të veprohej në atë kohë, pikërisht në ngritjen e statusit të qarkut të Kosovës, që filloi si oblast, në krahinën e Kosovës apo Krahina, sipas letrave jugosllave të kohës, dhe duke shfrytëzuar aspektet ligjore, kuadrin ligjor, kushtetutën e Republikës Federative të Jugosllavisë, të përmirësonin situatën politike, kombëtare dhe ekonomike, brenda strukturave pra të administratës, të ngrinin mirëqenien, të ruanin gjuhën shqipe, arsimin shqip, kulturën shqipe e kështu me radhë”, tha ai.
Sipas Verlit, vdekja e Tito-s shënoi një periudhë të re sfidash për shqiptarët, pasi kërkesat për avancimin e statusit të Kosovës u përballën me rritjen e nacionalizmit serb dhe politikat që kulmuan me ardhjen në pushtet të Slobodan Milošević.
Konferenca dyditore me 4 dhe 5 qershor po mbahet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Organizatorët njoftuan se aktivitetet për shënimin e kësaj dite do të vazhdojnë më 6 qershor me vizita në komplekset memoriale të heronjve dhe dëshmorëve të luftës, ndërsa më 12 qershor do të organizohet një tryezë shkencore në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit kushtuar eksodit të vitit 1999.







