Kryetari i komunës së Deçanit nga radhët e Aleancës, Bashkim Ramosaj, në tubimin e kësaj partie tha se populli po përçahet e varfërohet nga qeveria në detyrë.
Ramosaj tha se Aleanca është partia më serioze në zgjedhjet e parakohshme.
“Numri 128 është numri më serioz në këto zgjedhje, e ka listën më të mirë, ka dëshmuar se e ka dashurinë më të madhe për këtë vend. Sot, në Kosovë është duke ndodhur diçka e çuditshme, një popull që do me çorodit, do me përça. Ky popull sot është i varfër, është më i varfri në Ballkan. 128 është siguria për familjet tona, për të ardhmen tonë e fëmijët tanë. Është shpresa me i thënë mjaft kësaj çoroditjeje dhe këtë po e them përballë një njeriu që kur s’kemi pasur shpresë e ditë në fund të rrugës, ka pasur guximin me e nisë një luftë për liri. Njerëzit janë të lirë, jemi shtet demokratik. Ama sot, po ju lus për të ardhmen tonë, për të mirën që të jemi bashkë”, tha Ramosaj.
Për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, të mbajtur në Deçan, Ramosaj tha se i ka mashtruar qytetarët se ka investuar 60 milionë euro në Deçan.
Ai përmendi edhe një fjalë të urtë popullore.
“Para katër ditësh, në sheshin që e kemi ndërtu ne, dikush që jo me pak se kryeministër i shtetit në detyrë, e ka marrë të drejtën me thënë se në Deçan i ka investuar 60 milionë euro. Tek ne populli ka thënë, nëse është ngrenë pitja, tepsia duhet me qenë diku, po edhe me atë me gjete nuk po mundemi”, tha ai.
Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, kritikoi kryeministrin në detyre, Albin Kurti, që tash e pesë herë po gënjen qytetarët e Gjakovës për të ndërtuar aeroportin e Gjakovës.
Ai tha se Kosova duhet të zgjedhë rrugën e zhvillimit.
“Është problem me shkua i njëjti person në të njëjtin vend, në park që e kam bërë unë e për të pestën herë me ju thënë se do ta bëj aeroportin. Po e shikoj: amnezia është një sëmundje që harrojnë njerëzit, a ka harruar apo nuk e ka pikën e respektit. Si shkon pesë herë e gënjen njerëzit?! Kosova nuk duhet ta pranojë këtë logjikë, duhet me zgjedh rrugën e zhvillimit…”, tha Gjini.
Ish- kryetari i Aleancës, kandidat për deputet, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për, siç tha ai, përçarje dhe fyerje të luftëtarëve të lirisë, duke theksuar se Kosova ka nevojë për një qeverisje që e nxjerr vendin nga gjendja aktuale.
Haradinaj tha se është koha që Kosova të shpëtohet nga ajo që ai e cilësoi si politikë mashtruese.
Për deklaratën e Kurtit në Zvicër se “nuk ka edhe çlirimtarë edhe zullumqarë”, Haradinaj tha se është një turp i madh.
Ai shtroi një pyetje për Kurtin: çka po i pengojnë çlirimtarët apo i ka ndrequr të gjitha punët e Kosovës.
“Është i përgatitur me e shpëtua Kosovën, në gjendjen që e ka prua, ai që unë i them mashtruesi e më duket pak. Më kanë thënë, ke fjalorin e ashpër. Si ka mundësi, pas 27 viteve, me u çu kryeministri, me paret që ia paguajmë ne, me aeroplan, me shku në Zvicër e me ju thënë nuk ka edhe çlirimtarë, edhe zullumqarë. Pse po shkon me i mërzite ata, pse po ta nxënë rrugën çlirimtarët, pas 27 viteve? Çka po të bëjnë? A ke ndonjë problem tjetër apo ke ndrequr gjithçka në këtë Kosove? Eshtë marre një kryetar shteti me shku ne shtet tjetër e me përmend çlirimtar e zullumqar”, tha Haradinaj,
Ai foli edhe për themelimin e ushtrisë, gjatë mandatit të tij si kryeministër, duke thënë se ajo është një arritje e përhershme e shtetit të Kosovës dhe e sakrificës së luftëtarëve të lirisë.
“Në 2017 ia kam dhënë dorën Hashim Thaçit, e kam bërë ushtrinë e Trepçën. Ja sot e kemi ushtrinë tonë, ligjet e ushtrisë së Kosovës, e mbajnë firmën e djalit tuaj, Ramush Haradinajt. Ushtria jonë eshtë e përjetshme. Ajo ushtri është e tërë shqiptarëve kudo që janë. Atë ushtri Kosovës ia kanë prua çlirimtarët. Dëshmorët e familjet e dëshmorëve që kanë ende plagë e dhimbje si ka fytyrë, me pare tona me shku e me i nxënë ngushtë diasporën. Deri kur kështu, ne duhet me hesht. Fjalori im ka qenë i butë se jemi shqiptarë dhe dua ta ruaj popullin tim. Përndryshe ai fjalor do duhej të ishte ndryshe, sjelljet e mia ndryshe. Hatri i popullit e kam ruajtur vendin. Por boll është boll. Le ta di ai që krejt shqiptarët janë çlirimtarë”, tha ai.







