Ka 25 vjet që punon të njëjtin zanat.
Por tani, përveç taksave të cilat i paguan rregullisht, një tarifë e re po pritet t’ia rëndojë xhepin.
Është ajo vjetore prej një mijë euro për berberët, të cilën ka në plan ta vendos Komuna e Prishtinës.
Për floktarin Eroll Karabeg, një vendim i tillë është i padrejtë.
“Në çka janë bazu nuk e di, le të kqyrim çka do të jetë, po mendoj që duhet me verifiku mire…kisha adresu që me mujt me e bo një mbledhje, me bo një shoqatë të frizerave për meshkuj, edhe me bisedu dhe atëherë me marr vendime”, u shpreh Karabeg.
Në rast se rregullorja hyn në fuqi, Karabeg thotë se për ta do të jetë e vështirë.
“Për momentin, në këtë krizë qetash që është Kosova, mendoj që është gabim. Se s’po dimë çka me pagu ma përpara. Do të thotë na si zanatli, si frizer për meshkuj po e pranojmë që nuk është më si përpara me pas vetëm sa për një kafshatë goje me punu”, u shpreh tutje Karabeg.
Sipas draftrregullores, aktivitetet që do t’u nënshtrohen tarifave janë edhe veprimtaria e avokatëve dhe noterëve.
Avokati Arbër Jashari thotë se Komuna ka të drejtë të propozojë taksa të caktuara, por siç thotë ai, ato duhet të kenë logjikë juridike dhe ekonomike.
“Taksa nuk është proporcionale, nuk është e përshkallëzuar, por i përfshin të gjitha kategoritë dhe nuk e merr parasysh edhe raportet se sa avokatë qarkullojnë, sa punojnë, sa gjenerojnë para. Thjesht i bën, nuk bën diferencë mes avokatëve, nuk bën diferencë mes avokatëve dhe noterëve dhe mendoj që në këtë aspekt edhe cenohet edhe barazia para Ligjit”, ka thënë Jashari.
Tarifa 1 mijë euro, sipas Jasharit, do të detyrojë avokatët në kryeqytet të zhvendosen.
“Me vendosjen e kësaj takse mbase do të rëndohet veprimtaria e shumë avokatëve dhe pastaj ata do të gjejnë alternativa për të operuar ndoshta dhe në qytete të tjera ose do të jenë të detyruar ata ndërmarrin atë që është më e keqe, ta mbyllin biznesin”, theksoj Jashari.
Në këtë draftrregullore të vendosur në konsultim publik tash e një javë, përfshihen edhe ndërtimtaria, tregtia, shërbimet profesionale, transporti, arsimi privat, shëndetësia private e aktivitetet sportive.
Tarifat fillojnë nga 300 deri në 3 mijë euro.
Nga Komuna kanë bërë të ditur se ky dokument nuk është finalizuar, dhe aktualisht është në proces të konsultimeve publike, për çka edhe mund të pësojë ndryshime.






