Kandidati i LVV-së për deputet, Hysni Mehani, ka deklaruar se partitë opozitare kanë ndërruar qasje para zgjedhjeve të 7 qershorit, por sipas tij qëllimi i tyre ka mbetur i njëjtë – pengimi i krijimit të institucioneve.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mehani tha se para zgjedhjeve të 28 dhjetorit opozita kishte refuzuar takimet, ndërsa tani po paraqitet si konstruktive, ndonëse sipas tij veprimet e saj vazhdojnë të jenë destruktive.
Ai theksoi se programi i LVV-së parasheh investime të mëdha në disa sektorë kyç, duke përfshirë 1 miliard euro për investime kapitale, 1 miliard euro për zhvillim ekonomik dhe 1 miliard euro për forcimin e ushtrisë.
“Opozita tani vetëm e ka ndryshuar strategjinë, pra para zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka refuzua takimet, tash e ka ndryshua strategjinë qëllimi ka qenë i njëjtë, janë shitur konstruktiv por në fakt kanë mbetur destruktiv sa i përket krijimit të institucioneve. Ne e kemi thënë që këto zgjedhje janë të panevojshme, ne tashmë kemi një program që përfshin 1 miliardë euro për investime kapitale, 1 miliardë euro për ushtrinë, 1 miliardë euro për zhvillimin ekonomik”, tha ai.
Duke folur për ndarjen e pakove mbështetëse për qytetarët, Mehani tha se opozita kishte refuzuar të mbështeste pakon prej 200 milionë eurosh të propozuar nga qeveria, duke humbur sipas tij mundësinë për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative.
“Opozita e ka pasur dy mundësi kur ne propozuam që ata ta votojnë 200 milionë euro pako-mbështetje për qytetarët e Kosovës dhe ata do të bëheshin pjesë e kësaj mbështeteje për qytetarët, ata refuzuan, opsioni i dytë ishte që ata të mos na çonin në zgjedhje dhe sigurisht prap kjo nuk do të konsiderohej, edhe sikur mos t’i mbështetësim ishte opozita ajo që na kritikonte pse nuk po i mbështesim qytetarët”, theksoi ai.
Sa i përket raporteve me ish-presidenten Vjosa Osmani, Mehani u shpreh se kjo çështje nuk do të ndikojë në rezultatin e LVV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar se partia ka treguar vazhdimësi dhe gatishmëri për të çuar përpara vendin.
Në fund, ai shprehu bindjen se LVV do të dalë fituese në zgjedhjet e 7 qershorit, me synimin për të siguruar afër 60 për qind të votave.
“Vjosa Osmani nuk do të besoj që do të ia lë shenjë absolutisht VV-së në zgjedhjet e 7 qershorit për shkak se LVV ka treguar konstistent dhe gatishmëri më të madhe të mundshme që me ec përpara. Secili e di që LVV do të fitojë, dhe do të fitojë bindshëm, ne synojmë të kemi afër 60%”, shtoi ai./teve1.info/







