Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje nga kompleksi turistik Costa Navarino në Greqi, duke e cilësuar atë si një shembull të suksesit të projekteve ambicioze që në fillim përballen me kundërshti dhe skepticizëm, duke e lidhur atë me situatën aktuale në Zvërnec.
Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë thekson se para ndërtimit të Costa Navarino-s kishte paralajmërime për dëme të mëdha mjedisore, protesta dhe kundërshtime të shumta, por sipas tij, projekti u shndërrua në një nga destinacionet turistike më prestigjioze në Europë, duke gjeneruar vende pune, të ardhura për ekonominë dhe zhvillim për komunitetin lokal.
“Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë. Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë. Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon. Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit. Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike. Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij. Por në fund projekti u ndërtua. Dhe sot? Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës”, shkruan Rama.
Rama, solli edhe disa të dhëna mbi performancën mjedisore të resortit, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit.
Ai nënvizoi se historia e Costa Navarino-s tregon se zhvillimi nuk duhet refuzuar kategorikisht dhe se projektet e mëdha mund të bashkëjetojnë me mbrojtjen e natyrës kur ndërtohen me vizion, teknologji dhe përgjegjësi.
“Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë. Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut”, thekson Rama./RTSH/









