Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti u premtoi qytetarëve të Rahovecit një sërë projektesh për zhvillim ekonomik dhe të bujqësisë.
Kurti tha se do të ndërtohet qendra rajonale për agropërpunimin dhe verëtari, stadiumin e qytetit, ndërtimin e sheshit në qendër te qytetit dhe parkun solar.
Ai tha se investimet në Rahovec do të arrijnë në vlerë 128 milionë euro.
Kurti tha se në shkallë vendi përqendrimi i tij do jetë në prodhimtari rreth 1 miliard euro, me garantim nga shteti i të gjitha kredive investive në banka.
“Do të përqendrohemi në prodhimtari 1 miliard euro. Kushdo që investon do të garantojmë prej shtetit krejt kreditë investive në banka pa nevojë me lënë hipoteke tokën a veturën apo shtëpinë. Shteti juaj do të jetë garancioni për investimet tuaja… Subvencionime dhe grante për bujqësi, 350 milionë euro gjithsej për 150 mijë fermerë anembanë Kosovës. Mbi 100 milionë euro buxhetin për listën e barnave esenciale. Do të filloj sistemi informativ shëndetësor, para fondeve të sigurimeve shëndetësore. Përfitimi i parë kur të vie fondi i sigurimeve shëndetësore, me recetë të mjekut dhe letërnjoftim për barnat e listës së rimbursueshme në barnatore nuk paguani fare.. E superpunën do të vazhdojmë për gratë, çdo grua që punësohet gjashtë muaj 3 mijë euro i merr shtesë në sektorin privat”, tha Kurti.
Tutje, ai shpalosi projektet për Rahovecin.
“Ne kemi vëmendje të veçantë në Rahovec. E dimë sa keni humbur gjatë luftës edhe në njerëz e pasuri. Investimet kanë qenë e do të jenë më të mëdha. Rahoveci duhet të hyjë në një fazë të re zhvillimore. Në total investimet për Rahovecin arrijnë 128 milionë euro. Disa prej projekteve të reja është qendra rajonale për agropërpunumin dhe verëtari, për produkte bujsësore dhe për rritjen e eksporteve dhe turizmit, programi rajonal për ujitje. Rrjeti rajonal i turizmit të Dukagjinit në bashkëpunim me Rahovecin dhe komunat përreth. Qendra rajonale sportive me stadiumin e ri dhe stadiumi i qytetit në Rahovec, një ndër projektet më të rëndësishme.. Ndërtimi i sheshit në qendër të qytetit 156 mijë euro. Investim strategjik në Rahovec, në Kramovik parku solar është çështje ditësh fillimi i ndërtimit”, tha Kurti.
Ai u ndal edhe te mbështetja për fëmijët, që për një fëmijë është 35 euro, ndërsa në mandatin e ardhshëm Kurti tha se për një fëmijë do të bëhet 60 euro.
Ai kërkoi që qytetarët të dalin në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Rreth 12 mijë fëmijë përfitues të shtesave. Gjatë mandatit të ardhshëm do ta dyfishojmë, kush i ka një ose dy fëmijë do të marr 60 euro ose 120 euro, tre fëmijë 270 euro, katër 360 euro, sa ma shumë fëmijë në familje aq ma shume shteti do ta mbështes. Duhet dalje masive për një fitore rekord të ri. Më 28 dhjetor, na keni mbështetur si asnjëherë më parë dhe jemi përjetë falënderues. E keni sjellë vitin e ri tri ditë më herët. Tash shenjat janë që vera sivjet do me ardhë në pranverë”, u shpreh ai.
Pas komunës se Rahovecit, Lëvizja Vetëvendosje mban tubim të madh në Suharekë.







