Janë tubime politike në të cilat do të duhej të merrnin pjesë vetëm të rriturit.
Mirëpo, në fushatat zgjedhore të partive politike, prej disa javësh po vërehet edhe pjesëmarrja e fëmijëve.
Madje, në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, një vajzë e mitur bëri një recitim, në prani të kandidatit për kryeministër, Albin Kurti.
Ndonëse jo në skenë, të miturit u panë prezent gjatë ditëve të para të fushatës edhe tek partitë e tjera.
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, organizatë që merret me të drejtat e fëmijëve, u bën thirrje partive politike që të mos i ekspozojnë fëmijët në fushatë.
“Reagimi ka qenë dje, i drejtuar për të gjithë partitë politike, ka qenë reagim që ka ardhur nga raportimet e terrenit pikërisht edhe nga mediat që është pa përfshirja e fëmijëve në subjekte politike, në aktivitete gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Kelmendi.
Se këto praktika duhet të ndalen e thotë edhe avokati i popullit, Naim Qelaj.
“E para konsideroj që duhet, secila parti politike dhe secili lider institucional e politik me e pas kujdes në ekspozimin e fëmijëve për fushata dhe tubime politike, natyrisht ekzistojnë rregulla strikte të veprimeve të tilla. Ne do të analizojmë dhe do ta hetojmë si rast natyrisht dhe do të dalim me qëndrim zyrtar, por në shikim të parë nga ajo që ne kemi mundur me pa është një model jo i përshtatshëm i ekspozimit të fëmijëve në tubime politike. Çka është e rëndësishme është që fëmija me u përfshi në vendimmarrje politike kur janë në pyetje interesat e tyre por jo me u përdor si instrumente politike për qëllime elektorale”, u shpreh Qelaj.
Ekspozimin e fëmijëve në media gjatë fushatës zgjedhore, profesori Alban Zeneli, tregon se është i ndaluar edhe me ligj.
“Unë e kuptoj që një numër i prindërve munden mos me qenë të vetëdijshëm për dëmet që munden me i shkaktu fëmijëve të vet por gazetarët dhe politikanët që bëjnë fushata zgjedhore dhe që bëjnë lajme e transmetojnë përmbajtje duhet me qenë edhe para ligjit edhe para etikës profesionale të përgjegjshëm që të mos i ekspozojnë këta fëmije sidomos në media sociale ku potenciali për bullizim për ta është shumë i madh”, theksoj Zeneli.
Për përdorimin e fëmijëve nën moshë 15 vjeç janë dërguar edhe ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ky institucion në fushatat e kaluara ka dënuar subjektet e ndryshme politike me gjobë për shkelje të Kodit të Mirësjelljes, përshirë përdorimin dhe ekspozimin e personave nën moshën 15 vjeç në fushata zgjedhore.



