Masa e sigurisë prej 30 ditësh në paraburgim, është masa e parë ndëshkuese e paraparë me ligj për të pandehurit.
Por për caktimin e kësaj mase, fillimisht prokuroria duhet të parashtrojë kërkesë në Gjykatë.
Në këto procedura, nga Oda e Avokatëve të Kosovës ngrenë shqetësimin se ka vonesa.
“Para së gjithash vonohen kërkesat për vazhdimin e paraburgimit, edhe ato për caktimin e masës së paraburgimit, por sidomos ato për vazhdimin e masës së paraburgimit, që të na dërgohen neve. Pastaj, kur ne bëjmë ankesë vonohen tejmase përgjigjja në ankesën që ne parashtrojmë në Gjykatën e Apelit. Dhe na pamundësohet që së paku kur të caktohet paraburgimi për 30 ditë, të parashtrojmë edhe kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme”, ka thënë Rudari.
Cikli i vonesave nuk mbaron me kaq.
Edhe në instancën e fundit që palët mund të drejtohen sa i përket masës së paraburgimit, nga Oda pretendojnë se ka vonesa.
“Edhe kur parashtrojmë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme vonohet deri në atë nivel, që domethënë që aktvendimi për vazhdim të paraburgimit prej dy muajsh skadon. Thuajse vije radha për të vazhduar paraburgimi me aktvendim tjetër dhe atëherë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë duhet të vendosen si jolëndore sepse ai vendim të cilin ne e kemi atakuar, vetëm se ka humbur vlerën e ka skaduar”, ka thënë tutje Rudari.
Mirëpo, krejt ndryshe thonë nga Supremja.
“Pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta. Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor. Nëse Oda e Avokatëve të Kosovës i referohet ndonjë rasti konkret, ku pretendohet se ka pasur tejkalim të afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ftohet që t’i adresojë të dhënat tek Kryetari i Gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Megjithatë, avokatët insistojnë se këto vonesa janë të reflektuara edhe në raporte të organizatave të huaja.
“Shumë shpesh vonohen për kohë të paarsyeshme trajtimi i lëndëve, edhe për paraburgimin por edhe me vendimin meritor në situatën kur të pandehurit janë në paraburgim. Prandaj, pavarësisht deklarimit të Gjykatës Supreme konsideroj se ky qëndrim i Odës së Avokatëve është konfirmuar edhe nga raporti i EULEX-it”, theksoj Bytyqi.
OAK ka theksuar se do të vazhdojë adresimin e kësaj çështje, deri në përmirësimin e gjendjes në teren.






