Binance, një nga platformat më të mëdha globale të blockchain dhe kriptovalutave, këtë të shtunë zbarkoi në Prishtinë.
Kjo pasi për dy ditë me radhë po mbahet samiti “Balkans Blockchain Summit 2026”.
Ky samit ka mbledhur ekspertë të teknologjisë, përfaqësues të industrisë digjitale dhe emra të njohur të botës së blockchain-it.
E për herë të parë në Kosovë erdhi edhe drejtoresha e marketingut të Binance, Rachel Conlan.
Ajo u shpreh e mahnitur nga interesimi i madh i të rinjve për teknologjinë dhe inovacionin.
“Ajo që po ndodh sot dhe nesër është dëshmi e një popullsie të re, kurioze, pasionante dhe të përkushtuar ndaj teknologjisë, që dëshiron të sigurojë vendin e merituar të Kosovës në skenën globale. Jam vërtet i impresionuar deri tani. Gjithashtu e dua kafenë këtu. Si dikush që merret me crypto, më duhet shumë kafe dhe po e shijoj jashtëzakonisht shumë. Jam i emocionuar të provoj edhe më shumë”, shprehet ajo.
Në pesë vitet e ardhshme, Conlan, u shpreh se synojnë që Binance ta bëjnë pjesë të përditshme e jetës financiare të njerëzve.
“Mendoj se tregtimi i kriptovalutave dhe përdorimi i Binance është pika hyrëse për shumicën e njerëzve. Është gjëja e parë me të cilën na identifikojnë, për shkak të historisë sonë. Por ajo që do të doja që njerëzit të dinin për Binance, dhe ajo ku po fokusohemi shumë tani, është se Binance është edhe infrastrukturë. Nuk bëhet fjalë vetëm për tregtimin apo mbajtjen e aseteve. Mund të përdoret për remitanca dhe e di që ju keni një diasporë të madhe globalisht, që dërgon remitanca këtu dhe ky është një shans i madh për pagesat, për likuiditetin institucional dhe për levën financiare”, thotë Conlan.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai u shpreh se blockchain mund të ndihmojë në krijimin e vendeve cilësore të punës për të rinjtë dhe të tërheqë investime të huaja.
“Blockchain-i mund të na ndihmojë të krijojmë një qeverisje që është më afër qytetarëve. Ai mund të krijojë shërbime publike më të shpejta, menaxhim më të mirë të pronës komunale, zgjidhje inteligjente për transportin urban, energjinë dhe menaxhimin e mbeturinave. Është vërtet një mjet shumë i fuqishëm për të luftuar burokracinë dhe për të ndërtuar një Prishtinë moderne, të hapur dhe të drejtë”, u shpreh Rama.
Ndërsa, ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Memli Krasniqi i cili tash e 10 vjet është investitor në kriprovaluta, foli për potencialin që ka Kosova për t’u bërë qendër rajonale e teknologjive të reja.
“Tani, në Ballkan ne mund të mos jemi ekonomitë më të mëdha. Por unë vërtet besoj se kemi përparësi të mëdha. Kemi, para së gjithash, të rinj shumë të talentuar. Kemi zhvillues dhe inxhinierë të fuqishëm. Kemi aftësi përshtatjeje, dhe kjo është një pikë e fortë kyçe. Kemi një “uri” ndërmarrëse, e cila mendoj se është parë në mbarë botën në shembuj të shumtë. Kemi gjenerata të lidhura globalisht dhe një diasporë të fortë. Dhe mendoj se të gjithë këta përbërës janë të nevojshëm dhe më se të mjaftueshëm që Ballkani dhe Kosova të bëhen një qendër globale për zhvillimet në teknologjitë e reja, përfshirë edhe blockchain”, tha Krasniqi.
Ky është edicioni i tretë i “Balkans Blockchain Summit”, ndërsa organizatorët thonë se interesi për teknologjinë blockchain po rritet nga viti në vit.
“Synimi fillestar ka qenë me rritë vetëdijen te njerëzit për, për përdorimin e kriptovalutave, për blockchain-in si teknologji, edhe mendoj që prej vitit në vit jemi t’u e arritë këtë. Po, normalisht nuk mundemi na vetë pa e pasë edhe përkrahjen e industrisë, pa e pasë edhe përkrahjen e institucioneve. Përkrahjen e industrisë edhe vitin e kaluar edhe sivjet e kemi… Shpresojmë që vitet në vazhdim, edicionet e ardhshme, ta kemi edhe përkrahjen e duhur institucionale që Kosovën ta çojmë aty bashkë ku ka qenë edhe qëllimi fillestar. Me bë lider edhe në rajon, po me bë lider edhe në Evropë edhe në botë sa i përket fushës së digjitalizimit edhe fushës së blockchain-it”, thotë Sedat Çitaku.
Pas konferencës u organizuan edhe panele të ndryshme diskutimi, ku temat kryesore ishin inteligjenca artificiale, marketingu në blockchain dhe e ardhmja e ekonomisë digjitale.
E një nga elementet më tërheqëse të samitit ishte edhe giveaëay me mbi 10 mijë dollarë shpërblime për pjesëmarrësit.






