Ky vendim i Qeverisë në detyrë, u bë kryetemë e ditës në Kosovë.
Përkundër që gjatë elaborimit të tij, kryeministri në detyrë e konsideroi ndihmën si të domosdoshme për shkak të inflacionit, për të ka qëndrime të ndryshme.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e vlerësoi ndihmën si tentativë për blerje të votave.
“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit! Populli i Kosovës nuk blihet. E ardhmja e tyre nuk është në shitje”, ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por, një përgjigje për Abdixhikun dhe partitë opozitare, e ka deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Haziri.
“Është marre për opozitën që thotë kësi fjalë, sidomos shtesat për lehona, shtesat për fëmijët dhe pensionistët, për sektorin privat, kur është kjo opozitë që në fund të vitit e kanë marrë rrogën e 13-të dhe kjo opozitë asnjëherë nuk e ka ngritë zërin për rrogën e 13-të. E si është e mundur që për ta rroga e 13 bon me u marrë ndërsa për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin nuk bën me e marrë”, tha Fitim Haziri kanidat i LVV-së për deputet.
Megjithatë, pakënaqësi me këtë ndihmë kanë shprehur edhe përfaqësuesit e sektorit privat.
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi thotë se sektori publik përfitoi shumë më shumë nga ndihma qeveritare.
“Është një vendim diskriminues për punëtorët e sektorit privat të Kosovës. Përderisa neve na ofruan 100 euro, mesatarja e punëtorëve të sektorit publik ju ka rënë rreth 500 euro. Që do të thotë pesëfish është shuma më e madhe që ju kanë ndarë atyre, edhe pse dihet që ne së paku trefish më shumë paguajmë për buxhetin e Kosovës sesa punëtorët e sektorit publik. Por, megjithatë unë mendoj që një diçka është e mirë nga kjo e keqe, sepse tani do të shihet që sa punëtorë i kemi pa kontrata pune”, tha Azemi.
Për vendimin ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane, që në reagim në vend të pagesave të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve.






